
Pa kaluar ende 20 minuta, e ëma e binjakëve kishte shkuar për t'i kontrrolluar dhe aty gjendi pa jetë fëmijët e saj. Mendohet, se shkak për vdekjen e foshnjeve është bërë pikërisht qumështi pluhur që kanë konsumuar për muaj me radhë.

Në një lidhje direkte me studion, Edmond Panariti, ish-ministri i Bujqësisë tha se kjo ngjarje ka nxjerrë në pah një problem jashtëzakonisht serioz.
"Shqipëria nuk është vendi i parë që përballet me një ngjarje të tillë. Në 2008-ën, ndodhi një skandal i ngjashëm në Kinë dhe 6 foshnje u helmuan nga qumështi pluhur. Me sa kuptova nga rasti në fjalë, bëhet fjalë që qumështi është marrë nga një shoqatë bamirëse. Shoqata duhet të tregojë ku e ka marrë dhe ta kthejë aty. Përsa i përket analizave, nuk duhet humbur kohë. Me gjithë respektin për institucionet tonë, ata s'kanë kapacitet pasi analizat që duhen bërë janë komplekse. Analizat do ta tregojnë, por s'mund të presim ndërkohë që qumështin mund të jetë ende në duar të familjeve të tjera."
Dy ditë më parë, Panariti përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ngriti alarmin për rrezikun që vjen nga qumështi me formulë për bebet, duke i kërkuar AKU-së t'i tërheqë këto produkte nga tregu.
"Foshnjet dhe fëmijet mund të jenë në rrezik! Duhet vepruar me shpejtësi!
AKU duhet të bllokojë urgjentisht te gjithë sasine e qumeshtit pluhur ( formula per bebe) i cili me shumë mundesi u mori jeten dy foshnjeve në Berat. Menjëherë dhe tani!
Drejtori i AKU-së, të dalë në konferencë për shtyp për të bërë publike masat e bllokimit të produktit dhe të urdhërojë tërheqjen nga tregu të gjithë sasisë së qumështit për bebe nga firma që e ka prodhuar.T'u bëhet thirrje të gjitha familjeve që mund të kenë përfituar nga shpërndarja e ketij qumështi që ta dorëzojnë atë te autoritetet. Të pritet përfundimi i analizave komplekse kimike dhe bakteriologjike për këtë ngarkesë ! Qindra foshnje mund të jenë ne rrezik! Të fillojë një kontroll masiv analitik i qumështit formulë për fëmijë në tregjet tona.. Nuk është shaka!Shikoni studimin e një viti më parë të kryer në Amerikë për ushqimet e fëmijëve. Rreziku është real."
Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar Ushqimor (AKU) ka marrë mostra për analizë të produktit dhe po hetojnë për të gjetur shkakun që çoi në vdekjen e menjëhershme të foshnjeve 5-muajshe. Përmes një reagimi zyrtar ata u shprehën:

"AKU siguron konsumatorin se produktet e kësaj kategorie në treg kontrollohen dhe janë produkte që vijnë të çertifikuara nga vendet e BE-së, sigurisht që ndiqen nga Operatorët e Biznesit Ushqimor nën përgjegjësinë kryesore të tyre, edhe nën monitorimin e rreptë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se, referuar sistemit RASFF (Sistemi i Informimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) i krijuar nga BE, pas veifikimeve rezultoi se nuk ka pasur asnjë njoftim të kategorisë “Alert” për këto lloj produktesh.
AKU, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore për konsumatorin, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për verifikim dhe gjurmimin e rastit, edhe pse ende nuk është shprehur Mjekësia Ligjore. Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit."
Pas kësaj ngjarje fatale, sa të rrezikuar janë foshnjet dhe ç'duhet bërë?
Specialisti Kapllan Sulaj, i bëri thirrje prindërve të rinj të cilët i ushqejnë fëmijët me qumësht të blerë ta kontrrollojnë mirë konsumit. Të shohin me kujdes afatin e skandecës dhe t'i kushtojnë vëmendje kompanisë prodhuese, duke qenë se disa janë më të besueshme në krahasim me të tjerat dhe kjo është një lloj garancie për ta.
