Nga Shqipëria / E Hënë 27 Janar 2020, 13:01

Kineastët shqiptarë vlerësohen me çmimin e rëndësishëm

Filmi dokumentar “Honeyland” (Toka e mjaltit) e regjisorëve Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, u vlerësua nga American Society of Cinematographers (Shoqëria Amerikane e Kineastëve) me çmimin “Dokumentari më i mirë”.

Çmimi për kineastët nga Maqedonia e Veriut, Fejmi Daut dhe Samir Ljuma – të cilët nisur nga komentet dhe postimet në Instagram, janë me origjinë shqiptare – u dha nga Todd Philips, regjisori dhe producenti i “Joker”.

Nga e majta në të djathtë: Todd Philips, Samir Ljuma dhe Fejmi Daut
Nga e majta në të djathtë: Fejmi Daut, Todd Philips dhe Samir Ljuma

The American Society of Cinematographers (ASC) është një organizatë kulturore dhe arsimore amerikane, e themeluar në Hollywood në vitin 1919. ASC ka për qëllim të vlerësojë arritjet në fushën kinematografisë, duke diskutuar mbi teknikat dhe idetë e reja të fotografisë, ngjyrave, filtrave etj.

“Honeyland” është filmi i parë nga Maqedonia e Veriut që nominohet në dy kategori të çmimeve Oscars, “Filmi më i mirë ndërkombëtar” dhe “Dokumentari më i mirë”.

Filmi portretizon jetën e Hatidze Muratova, një bletërritëse në një fshat malor, Bekirlija në Maqedoninë e Veriut. Xhirimet e filmit zgjatën 3 vjet.

Në fillim të dhjetorit, “Honeyland” u cilësua si një nga filmat më të mirë të 2019-s sipas The New York Times. “I ideuar si një video informative e porositur nga qeveria, ky dokumentar është as më pak e as më shumë se një alegori komike për problemin e vjetër sa vetë bota: fqinjët e pasjellshëm,” shkroi media prestigjioze.