Për të disatën ditë, Alketa Vejsiu vijon të postojë në Instagram momente në seminaret e Tony Robbins në Florida. Synimi i seminarit është të frymëzojë dhe edukojë sipërmarrës apo njerëz të thjeshtë që duan ta shohin jetën me sy tjetër. Dje, Tony solli në skenë Sarah Blakely, themeluesen e Spanx që u bë miliardere nga një ide e vetme inovatore. Historinë e saj ne e kemi përkthyer dy vite më parë dhe e rikthejmë për të gjithë ata që u bënë kureshtarë nga postimet e Alketës.
“How I Built This” është një emision radiofonik në të cilin Guy Raz interviston sipërmarrës, idealistë, shpikës dhe shpalos historitë pas suksesit të tyre. Më poshtë kemi transkriptuar intervistën e Sarah Blakely, shpikëse e Spanx, të brendshmeve që unifikojnë format dhe nuk duken nën rroba.
Sarah Blakely u rrit në Florida dhe kishte ëndërr të bëhej avokate. Kur mori më në fund guximin të jepte provimin e avokatisë, dështoi dy herë. Pas universitetit, Sarah filloi punë në Disney World e më pas zuri një tjetër punë, ku shiste makineri faksi derë më derë.
“Kur shisja makineri faksi derë më derë, mendoja se isha në filmin e gabuar. Pyesja ku është regjisori, ku është producenti. Ky nuk është filmi im. Isha shumë e vendosur në ndërtimin e një jetë më të mirë për veten.”
Guy Raz: Gjatë kësaj kohe kuptove se ç’duhet të bëje me jetën tënde?
“Atëherë fillova të vishja geta përditë. Dhe kuptova efektin që kishte pjesa e sipërme e getave tek veshjet e mia. Çdo rrobë më rrinte më mirë me geta poshtë. Kisha një palë pantallona ngjyrë kremi, të cilat i bleva për $98. Për mua ishin shumë të shtrenjta dhe s’i vesha kurrë sepse gjithmonë më dukeshin të brendshmet.
Mbathjeve normale u dukeshin vijat. Tangat nuk ishin zgjedhja ideale, linin shenja të dukshme. Korsetë e kohës ishin të trasha dhe me dantellë. Në atë moment pashë mundësinë për të krijuar diçka përmidis. Kanavacën perfekte për të brendshmet e grave."

Guy Raz: Për njerëzit që s’kanë veshur kurrë Spanx, por flasim për të brendshme të bëra nga një material elastik të cilat mbledhin dhe lëmojnë çdo gjë rreth kofshëve dhe të pasmeve.
“Po dhe në momentin që preva pjesën e sipërme të getave të mia që të vishja pantallonat ngjyrë kremi kuptova që kjo ishte një ide e shkëlqyer dhe fillova ta ndjek si ëndërr.
Kisha $5,000 kursime dhe me ato para fillova biznesin. Si fillim, kërkova në mos idea ekzistonte, në mos të tilla të brendshme ishin bërë. Pas ditësh të tëra kërkimi në bibliotekë, zbulova një ëebsite që mbante gjithë patentat. Në momentin që kuptova se diçka e tillë nuk ekzistonte, doja të dija në kishte kërkesë për produktin tim. Shkova dhe pyeta një person të vetëm.
Tek Neiman Marcus (dyqan multibrand) pranë shtëpisë sime pyeta një përfaqësuese shitjesh nëse kanë klientë që do të donin një palë geta pa këmbë për t’i veshur poshtë veshjeve të ngushta. Ajo më tha që në fakt, ka shumë klientë që kërkojnë diçka të tillë, sepse nuk ekziston në treg. Aty e vendosa. Ka kërkesë tregu."
Guy Raz: Çfarë bëre pastaj? A dije të qepje? Si e zbulove ç’materiale duhet të përdorje?
“S’kisha qepur kurrë në jetën time. S’merrja erë fare nga biznesi. S’njihja askënd në industri. Bleva një tufë me geta dhe eksperimentova vetë me kapëse letrash dhe materiale të ndryshme. Nuk bëra shumë progres. Idea ime duhej qepur në një makineri. Më duhej një fabrikë që të kuptoja në mund ta bëja prototipin apo jo.
Guy Raz: Ndërkohë vazhdoje të shisje makineri faksi?
“Po, sepse më duheshin paratë dhe sigurimi shëndetësor. Me idenë merresha netëve dhe fundjavave. Ndërkohë telefonoja fabrika të ndryshme dhe aksush s’pranonte të takohej me mua. Kuptova që duhet t’i takoja nga afër dhe atë bëra. Mora një javë leje dhe shkova në Karolinën e Veriut për t’u takuar me drejtorë fabrikash.
Ishte shumë e vështirë, sepse askush s’më hapte derën. Ata që pranuan të takoheshin me mua nuk e kuptonin ç’po u propozoja sepse ishin të gjithë burra. S’ia kishin idenë.
Guy Raz: Si e binde fabrikuesin të prodhonte produktin tënd?
“Dy javë pasi u largova nga një fabrikë, më telefonon pronari dhe më thotë. Sara, jam Sam. Kam vendosur të të ndihmoj me idenë tënde të çmendur.
Ndalova për një moment, isha gati të hidhesha nga karrigia. E pyes, pse. Pse ndërrove mendje Sam? Dhe ai më tha që kishte tre vajza. Më vonë më tregoi që e kishte diskutuar idenë time me të bijat dhe ato e këshilluan të më ndihmonte. Ai s’e kuptonte ende për çfarë bëhej fjalë, por e bindi entuziazmi im.
Guy Raz: I tregove kujt me çfarë po merreshe?
“Jo. Kur më lindi idea e mbajta sekret për një vit. E ndava me drejtorë fabrikash dhe njerëz që mund të më ndihmonin, por u tregova shumë e kujdesshme. Ishte një ndjesi që duhet ta mbaja për vete se pse idetë janë shumë të cënueshme kur s’janë bërë realitet. Instiktivisht, do që të kthehesh nga dikush dhe t’i tregosh, por nëse e bën këtë, do të shpenzosh shumë kohë duke e shpjeguar, duke e mbrojtur. Dikush do të më thoshte se nëse është një ide kaq e mirë, pse s’e kanë bërë të tjerë para teje? E dija që do të më flisnin për mirë, por nëse do ta kisha dëgjuar asokohe, do të isha ende duke shitur makineri faksi.”
Guy Raz: Pas kësaj nise procesin e patentimit?
“Po, shkova në tre firma të ndryshme ligjore. U përpoqa të gjeja një avokate femër, por në shtetin e Georgia-s s’kishte asnjë. Thashë mirë, do të përpiqem fort t’ua shpjegoj këtë tre burrave. U treguan shumë të sjellshmë. Nuk u impresionuan dhe të gjithë më kërkuan $3,000 deri në $5,000 për patentën. Kështu që vendosa ta shkruaj vetë. Bleva një libër dhe e shkruajta. Imë më është artiste dhe ajo më ndihmoi me skicat e prototipit.
Iu ktheva njërit prej avokatëve dhe i thashë që e kisha shkruar vetë patentën. Kisha nevojë vetëm për pjesën e të drejtave të shpikësit. Atë nuk e bëja dot sepse s’isha avokate. U mahnit dhe më tha po, për $750 e bëj brenda fundjavës.”

Guy Raz: Para se ta shisje në dyqane, të duhej një emër dhe mesa di zgjedhja ishte një udhëtim më vete.
“Nga momenti që preva getat e deri në momentin që isha gati ta patentoja kishin kaluar dy vite. Shkruaja emra në çdo copë letre që gjeja dhe asnjë s’më pëlqente. S’ishin të duhurit.
Filtrova mundësitë dhe mendova. Kodak dhe Coca-Cola janë dy nga firmat më të njohura në botë, ç’kanë të përbashkët. Tingullin K. Dija që K-ja e bën audiencën të qeshë, e bën një fjalë të mbahet mend. Doja që krijimi im të kishte K në emër. Sapo mora këtë vendim, fjala spanks më erdhi në mendje.
U futa në website-n e patentave, ngarkova gjithë dokumentat e nevojshme dhe tek fusha e emrit shkruajta spanks. Ndalova një moment dhe në vend të k dhe s, shkruajta x. Dija që fjalët e shpikura ecin më mirë dhe janë më të lehta për t’u patentuar. Më pëlqente shumë, ishte emri i duhur. Më kushtoi diku tek $150 dhe ca muaj më vonë mora çertifikatën. Isha pronarja krenare e fjalës Spanx."
Guy Raz: Ke një emër, një produkt dhe një fabrikë. Si fillove ta shesësh?
“Vendi i parë ku shita ishte Neiman Marcus. Thjesht i mora në telefon dhe peripeci pas peripecie lashë një takim 10-minutësh me drejtoreshën e blerjeve në Dallas. Ishte një grua e bukur, me një veshje të pacen.
Në mes të mbledhjes kuptova që po e humbisja shansin tim. E dija që ishte mundësia ime e vetme. I thashë, e di çfarë Diane, eja me mua në banjë. E di që është e çuditshme, por eja në banjë me mua. Dua të të tregoj ç’bën në të vërtetë produkti im.
Më tha okay dhe erdhi me mua. Kisha veshur pantallonat ngjyrë kremi sepse ato ishin arsyeja që shpika Spanx. U futa në banjë, vesha Spanx dhe dola. Më pa dhe u mahnit. Më tha që ishte brilante. Porositi për shtatë dyqane.
Nuk më besohej. Po dridhesha kur u futa në makinë. Menjëherë telefonova drejtorin e fabrikës dhe i thashë që më duheshin më shumë. Neiman Marcus do të shesë produktin tim."

Këtu nisi puna e vërtetë. Çdo ditë Sarah rrnte krah produktit të saj dhe ua shpjegonte klientëve. Madje në një moment bleu rafte dhe thjesht i shpërnguli pranë kasës, pa marrë aprovimin e dyqanit. Telefonoi çdo njeri që njihte dhe u kërkoi të blinin një palë, paratë ua dërgonte ajo me çek.
I dërgoi një palë Spanx personazhit televiziv Oprah dhe asaj i pëlqyen aq shumë sa i shpalli produktin e vitit. Sarah mori gjithashtu vendimin të dilte për 10 minuta live në një kanal reklamash. 5 minutat e para arriti të shiste 8,000 palë.
15 vite më vonë, Sarah zotëron 100% të aksioneve të kompanisë së saj. Vlerësohet të ketë 1.1 miliardë dollarë pasuri dhe është zotuar bashkë me Bill Gates dhe Ëarren Buffet ta japë gjysmën për bamirësi.
Emisionin mund ta dëgjoni të plotë këtu dhe mund ta lexoni në anglisht këtu.
