Mes gocave të “Për’Puthen”, Inës dhe Antonetës, ka një dinamikë interesante që të shtyn t’i dëgjosh deri në fund, pse jo të presësh edhe emisionin tjetër për të parë se çfarë do të ndodhë.
Të gjitha diskutimet – e thekojmë, mes gocave – kanë debat, kanë pyetje-përgjigje, nuk mungojnë ironitë, mospërputhje mendimesh në disa raste, përkrahje për njëra-tjetrën e kështu me radhë. Pra, me fjalë të tjera, janë mjaftueshëm të këndshme sa për të mos ndërruar kanal/kaluar te videoja tjetër në YouTube.
Kur vjen puna te çunat, situata ndryshon 180 gradë. Djemtë, ~përgjithësisht~ ose një pjesë e tyre, janë të fjetur/ thjesht prezentë/ të paqartë në atë që duan. Vështirë të përcaktohet se çfarë nuk shkon me ta: ndoshta efekti i kamerave, ndoshta nuk e kanë kuptuar mirë formulën. Nuk dihet.
Të gjitha situatat, që fillojnë nga sheqeri e piperi i pakuptimtë, shakatë pa kripë dhe mungesa e mendimeve të mirëargumentuara, duket se i kanë rënë në sy edhe vajzave.
“Noniminet [që djemtë i bëjnë njëri-tjetrit] nuk kanë vijë logjike. Prandaj i bashkohem asaj që tha Antoneta, që janë shumë mendime të vogla, janë shumë argumente, që përveçse [janë] jo të artikuluara, nuk kanë bazë dhe vijë logjike. Kështu që sigurisht që ne marrim një zhgënjim nga kjo gjë. Duhet të dini se secila nga ne ka eksperiencat e veta, ka shkollën dhe CV-në e vetë që e kemi të dyja shumë të gjatë dhe presim që të kemi përballë minimumi atë që jemi ne. Nëse nuk arrini as aty ku jemi ne, atëherë të gjithë jemi duke humbur kohën kot këtu. Në fund të fundit, le të ndërrohen djemtë për mendimin tim.” – u shpreh Ina në puntatën e sotme (e diel, 26 janar), e cila gjithashtu u shoqërua me debat.
Pra, djemtë ose nuk e kanë kuptuar për çfarë janë në emision, ose po sikletosen më shumë seç duhet, ose nuk kanë asnjë interes ndaj vajzave dhe kanë ardhur për të bërë show. Nëse është rasti i tretë, të paktën ta bëjnë interesant.
