Nga Shqipëria / E Premte 24 Janar 2020, 19:07

Pas përhapjes së frikshme të virusit misterioz, merr masa edhe Shqipëria

Dje, (23 janar) Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e emergjencës shëndetësore në Kinë pas përhapjes së vrullshme të virusit misterioz që i ka marrë jetën deri më tani qindra njerëzve. Pavarësisht se në vendin tonë u tha se nuk ka vend për panik, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar urdhër për institutin e Shëndetit Publik, ku i kërkon të merren masa parapërgatitore për tu mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri.

Edhe pse rrezikshmëria në vendin tonë për përhapjen e koronavirusit është e ulët, duhen përforëcuar survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute, në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Fillimisht, urdhri specifikon që Instituti i Shëndetit të Publik të përgatisë përkufizimin e rastit, kur një pacient konsiderohet nga një virus i tillë, në mënyrë që rasti të jetë i qartë për gjithë mjekët.

Përveç kësaj, është kërkuar gjithashtu një udhëzues për menaxhimin e rasteve në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit.

Nga ana tjetër, sipas zyrës së komunikimit në Aeroportin Nënë Tereza është gati edhe një ambient i posaçëm për të izoluar ndonjë rast të mundshëm apo të dyshuar. Pavarësisht masave, ekspertët thonë se risku i depërtimit të virusit vdekjeprurës të Wuhanit është i vogël pasi në vendin tonë mungon një linjë ajërore me Kinën dhe të gjithë pasagjerët e tjerë që vijnë në vendin tonë i nënshtrohen skanimit në aeroportet përkatëse.

Burimi: Top Channel