Maluma, bukuroshi kolumbian që marrosi gjysmën e botës, do të kalojë në Tiranë si pjesë e turneut të tij botëror. Por, në dallim nga gjithë qytetet që listohen në faqen zyrtare të artistit, përbri Tiranës nuk ka një buton që mundëson blerjen e biletave të koncertit. Ndoshta s’do të performojë, ndoshta po punohet ende për një portal ndërmjetës që të lidhë fansat e këngëtarit me biletat.

Sidoqoftë, nuk do të ngelni pa gjë. Mund të blini një nga biletat e Meet & Greet, që ju mundëson një foto me Malumën dhe një suvenir zyrtar tijin. Çmimi i Meet & Greet është i njëjti pavarësisht qytetit: 370 dollarë, afërsisht 40 mijë lekë të reja. Nëse tenton të blesh një biletë Meet & Greet, faqja të paralajmëron se duhet të kesh biletë për koncertin, prandaj është e çuditshme që për Tiranën s’e mundëson blerjen e biletave të koncertit. Maluma do të vizitojë Tiranën më 14 mars.

Miksoni njerëzit që dalin për Ditën e Verës dhe njerëzit që do dalin për të takuar Malumën dhe dilni në përfundimin që më 14 mars duhet ndenjur në shtëpi.
Nëse doni vërtet ta dëgjoni artistin, mund të shkoni në Athinë ose Selanik, ku do të performojë përkatësisht më 11 dhe 13 mars.
