Gjyqtare në gjykatën e lartë dhe avokate e të drejtave të njeriut, Katerina Sakellaropoulou, është zyrtarisht presidentja e parë grua në Greqi!
Me 261 vota ajo u zgjodh sot (e mërkurë, 22 janar) nga parlamenti grek. Sakellaropoulou përveçse është presidentja e parë grua, është e para që pranohet nga tre parti parlamentare.
Ajo, u zgjodh në raundin e parë me shumë më tepër vota sesa shumica e nevojshme për dy të tretat e Parlamentit (200 vota), siç parashikohet në nenin e rishikuar 32 të kushtetutës.
63-vjeçarja fitoi mbështetjen e 261 ligjvënësve në parlamentin me 300 vende. Bazuar në rezultatin e votimit, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis e quajti fitoren e saj si "dritare të re drejt të ardhmes" duke shtuar se "vendi po hyn me shumë optimizëm drejt dekadës së re".

Kjo zgjedhje, thyen të gjitha traditat e mëparshme jo vetëm sepse Sakellaropoulou është një grua, por edhe për faktin se ajo nuk është pjestare në asnjë parti politike.
Greqia ka mbetur shumë larg vendeve të tjera europiane përsa i përket aktivizimit të grave në pozicione të rëndësishme të politikës. Sipas Eurostat-it, hendeku i pagave mes burrave dhe grave në Greqi në 2017-ën ishte 12%.
Sakellaropoulou është presidentja e 13-të e Republikës dhe pason Prokopis Pavlopoulos në zyrën më të lartë shtetërore.
Drejtuesja e re e Pallatit Presidencial do të betohet në një seancë solemne menjëherë pasi mandati i Pavlopoulos të përfundojë në 13 Mars.
Burimi: CNN
