Nga Shqipëria / E Diel 19 Janar 2020, 12:12

Era Rusi s’pranoi të fliste për festivalin as me miqtë, as me familjen

Jua merrte mendja që një muaj pas Festivalit të Këngës, që është një vit me ritmin e lajmeve të shoëbizit, do të ishim ende duke folur për çfarë ndodhi natën e finales? Epo, ja ku jemi.

Era Rusi, e ftuar mbrëmë në “Mos i fol shoferit,” foli pak, por tha mjaftueshëm në lidhje me këngën e saj, “Eja merre,” në FiK.

“Pse do ta nisim vitin me kështu gjërash? I lamë ato muhabete. Që kur mbaroi festivali, nuk pranova të flas as me miqtë e mi, as me familjen time. U zgjova të nesërmen dhe thashë se ishte një ëndërr dhe e lëmë aty ku është,” tha këngëtarja.

Ndoshta kjo është mënyra më e zgjuar për t’u përballur me zhgënjimin. Mbyll një sy, mbyll një vesh, bëj sikur s’ndodhi, vazhdo jetën. Ishte një ëndërr, shhhh.

“Absolutisht që [kam marrë një dozë zhgënjimi]. Mendoj që kënga ime meritonte të ishte shumë më lart nga aty ku përfundoi. Megjithatë Shqipëria na ka mësuar të mos na bëjë asgjë përshtypje. Jeta vazhdon,” përfundoi Era.