“The Circle” (Rrethi) është një ndër reality show më të përfolur të momentit në Netflix. Ndonëse një pjesë e mirë e njerëzve e konsideron një “budallallëk”, nga ana tjetër ata theksojnë se nuk rrinë dot pa e parë.
“The Circle”, bazuar në versionin britanik me të njëjtin emër, është një eksperiment social, ku tetë njerëz tentojnë të komunikojnë dhe krijojnë aleanca me njëri-tjetrin, duke pasur qëllim final 100,000 dollarë. Është pak a shumë një formulë e njëjtë me “Big Brother”, po nëse në “Big Brother” konkurrentët imitojnë jetën reale, në “The Circle” të pranishmit imitojnë jetën virtuale.

Tetë konkurrentë jetojnë në një godinë, por në apartamente të ndryshme. Ata nuk e shohin dhe nuk e dëgjojnë njëri-tjetrin, por e vetmja mënyrë për të komunikuar është aplikacioni Circle.
Circle është i ngjashëm me rrjetet sociale. Konkurrentët mund të vendosin foto në profil, të shkruajnë diçka për veten, të vendosin moshën dhe statuse.

Por, ashtu si edhe në internet, askush nuk e di me siguri se kush është në të vërtetë një X person. Në “The Circle”, disa konkurrentë hiqen si të tjerë; dikush shtiret sikur është vajzë, por ndërkohë është burrë; një tjetër fshihet pas një identiteti të rremë, ndërkohë që të tjerë kanë zgjedhur të jenë autentikë.

Pak a shumë si në “Big Brother”, konkurrentët nominojnë njëri-tjetrin dhe eleminimet, që në këtë rast quhen “Blocked”, janë në dorë të dy më të votuarve që quhen, gjejeni çfarë...Influencers. Ughhh!
