Prej javësh Australia po përballet me një katastrofë të vërtetë zjarresh dhe ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Shumë vatra zjarri aktive kanë shkaktuar dëmë të tmerrshme në Uellsin e Ri Jugor, Queensland, Australinë Perëndimore dhe Australinë e Jugut. Mëngjesin e sotëm kanë qenë 146 vatra të mëdha zjarri.

Banorët janë larguar për të shpëtuar si dhe kanë ndihmuar në shpëtimin e kafshëve, së bashku me shërbimet veterinare. Mirëpo rreth 500 milionë kafshë të ndryshme janë zhdukur nga zjarret që kanë përfshirë vendin dhe më të rrezikuarat janë ‘Koala’ dhe ‘Kanguri’.

“Rreth 500 milion kafshë, përfshirë specie të rrezikuara në mënyrë kritike, tashmë janë zhdukur nga zjarret. Bilanci i plotë është i pamundur të përcaktohet në këtë fazë të hershme,” është shprehur Jenny Grey, Drejtori i Përgjithshëm i Zoos “Victoria”.

Rrjeti është pushtuar nga foto të aktualitetit të trishtë në Australi. Fotot e kafshëve që janë djegur të gjalla nga flakët kanë prekur zemrat e të gjithëve.













