Nga Shqipëria / E Hënë 23 Dhjetor 2019, 22:10

Rama: Të prekurit nga tërmeti vendosen në shtëpitë e reja për 6 muaj

Ditën e sotme në kompleksin ‘Fafa’ në Durrës është mbajtur mbledhja vjetore e kabinetit të qeverisë. Gjatë një deklarate për shtyp, kryeministri Edi Rama ka zbuluar se c’tematika janë trajtuar gjatë mbledhjes.

Tërmeti që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 Nëntorit la në qiell të hapur shumë familje por fatmirësisht po punohet që ato të akomodohen në shtëpi të reja. Rama ka bërë të ditur se të prekurit nga tërmeti brenda gjashtë muajve, do të vendosen në shtëpitë e reja.

“ Ne kishim mbledhjen e fund vitit siç e dini dhe ju apo mbase nuk e dini kjo nuk ka rëndësi. Në fund të çdo sesioni ne bëjmë një mbledhje të gjatë ku bëjmë një listë të të gjithë aktiviteteve të ministrive të institucioneve duke veçuar tematikat apo prioritetet. Kemi pasur një pikë të rëndësishme për rindërtimin. Objektivi është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda gjashtë muajsh të jenë sistemua në shtëpi. Për ata që do hyjnë në apartamente në lagjet e reja do të vazhdojnë në sistemin e qirasë”, është shprehur Rama.