Nga Shqipëria / E Hënë 23 Dhjetor 2019, 21:09

Ok, ok, po Arilena si ndjehet?

Mbrëmjen e djeshme në ‘Pallatin e Kongreseve’ u mbajt nata finale e edicionit 58 të ‘Festivalit të Këngës’. Fituese u shpall Arilena Ara me këngën e titulluar ‘Shaj’, me një total prej 67 pikësh, pasuar nga vendi i dytë, Elvana Gjata me 64 pikë, më këngën e titulluar ‘Me tana’. Mirëpo një shumicë e VIP-ave, ashtu si dhe publiku, kanë shpërthyer pas fitores së Arilenës, duke u shprehur se Europa do kërcente me Elvanën.

Po ashtu, vetë prezantuesja e festivalit, Alketa Vejsiu, reagoi me anë të një statusi ku i kërkonte falje publike Elvanës, në pamundësi për t’i dhënë zë, zërit të publikut. Ajo bëri të ditur se nuk pajtohet me jurinë dhe se këngëtarja duhet të ndihet fituese pasi kënga e saj ishte e denjë për në Eurovision. Deklarata e moderatores ishte një parcarje në miqësinë me Arilenën, e cila medoemos është ndjerë e nënvlerësuar dhe vendosi ta hiqte Alketën nga lista e miqve.

‘Elvana e meritonte fitoren’, ‘Me Elvanën do kërcente Europa’, ‘Një fitore e pamerituar’, ‘Juria ka bërë me hile’, ‘Elvana kishte super këngë për në Eurovision’…Këto komente e shumë të tjera janë  bërë refren i ditës së sotme dhe me të drejtë të gjithë shprehin mendimin e tyre sidomos kur dihej qe në krye të herës se kënga e Elvanës rrëmbeu menjëherë zemrat e publikut aq sa kishte optimistë që arrinin deri aty sa ta pozicionin si pretendente të cmimit të parë ne Eurovizion.

Por në të gjithë këtë rrëmujë të gjithë harruam të themi me zë ate që vecse e kemi cuar nëpërmend: Po Arilena si ndjehet?

Arilena Ara, një vajzë 21 vjecare, me një sukses të jashtëzakonshëm, si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë, e nisi karrierën në skenën e ‘Gjeniut të vogël’ dhe më pas ‘X FACTOR’ nga ku arriti të fitonte zemrat e publikut me vokalin e saj unik.

Ishte Arilena ajo e cila bëri namin më këngën e titulluar ‘Nëntori’, këngë e cila dëgjohet në shumë vende të botës dhe sot, është Arilena ajo e cila në një moshë kaq të re, fitoi një festival të rëndësishëm si ‘Festivali i Këngës’ dhe do të përfaqësoje Shqipërinë në Eurovision.

Mirëpo, dita e saj e lumtur u prish njësoj sic ndodhi pak ditë më parë dhe në finalen e ‘Këngës Magjike’. Në momentin kur Eneda Tarifa zgjati duart drejt trofeut të fitores, i gjithë publiku brohoriti emrin e Fifit e më pas rrjeret sociale zienin me ditë të tëra.

Artistët, sistemet e votimit apo publiku? Kujt i mbetet faji dhe kush ia prishi fitoren Arilenës dhe Enedës?