Nga Shqipëria / E Diel 22 Dhjetor 2019, 19:07

Kinematografia në zi: Ndahet nga jeta aktorja e madhe shqiptare

Është ndarë nga jeta aktorja e njohur shqiptare, Marika Kallamata. Aktorja e cila njihej edhe si “gjyshja e përrallave”, është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare. Lajmin e trishtë e ka dhënë Ministrja e Kulturës, Elva Margriti përmes një postimi në Facebook.

“Ndonëse ka luajtur dhjetëra role në teatër e kinema, ajo do të mbetet për ne, përherë, gjyshja e përrallave. Marika Kallamata, aktorja e mrekullueshme, gruaja me pamje të paqtë e zë të ngrohtë, u nda prej nesh, duke lënë pas jo vetëm një galeri të pasur rolesh, kujtimesh të dashura, për të gjithë ata që e njohën nga afër, por edhe timbrin e ngrohtë: Na ishte seç na ishte…! U prehsh na paqe e dashura jonë, që na e përkunde fëmijërinë me mijëra fantazi! Homazhet do të mbahen nesër, në ambientet e “arTurbinës”, nga ora 11:00-13:00.”

Kallamata ka luajtur në disa filma ku më të spikatur kanë qenë rolet e saj si: Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana, Nekija. Ajo është vlerësuar me urdhrin “Naim Frashëri” dhe “Artiste e Merituar”.