E ftuar së fundmi në "Vizionin e pasdites", ishte spikerja e njohur e lajmeve në Vizion plus, Iva Kalemi. Përpos karrierës së saj në televizion, jetës së përditshme, Iva u ndal edhe tek miqësia me Eraldo Rexhon, Isida Mollaymerin dhe gazetaren e ndjerë Adelajda Xhamanin. Iva tregoi se Adela ishte një nga njerëzit më të fortë që ajo ka njohur dhe kishte një shpirt të madh, i dhimbsej çdo person dhe donte ta ndihmonte.
"Kisha 4-5 vite miqësi me Adelën, jo shumë, por as pak. Ato vite kanë qenë shumë intensive. E kam njohur shumë nga afër dhe do thoja është një nga njerëzit më të fortë që kam njohur në jetë, me një forcë të jashtëzakonshme, që e donte shumë jetën, i donte shumë njerëzit, mbante pak njerëz pranë vetes, por i donte pa kushte. Kishte një shpirt shumë të madh, i vinte keq për njerëzit që shihnim në rrugë, kishte besim shumë të madh në Zot. Adela ka ikur për të qenë gjithmonë me ne. Në çdo bisedë që kemi mes miqsh, ajo gjendet kudo, me kujtimet e bukura, me batutat e saj. Mendoj që ajo është një ëngjëll që nuk ka ikur, është gjatë gjithë kohës pranë nesh", u shpreh Iva me sytë e mbushur me lot.
