Muajin e kaluar Top Channel njoftoi se së shpejti do të sjellë një festival të ri, për të cilin u tha se do të jetë pasuesi i "Top Fest", festivalit që bëri revolucion në skenën e muzikës shqiptare. Festivali do mbajë titullin "Jeho" dhe ka konceptin e "Top Fest". Në promon e festivalit thuhej: "Së shpejti, ‘Jeho’, spektakli më i ri i muzikës moderne shqiptare në Top Channel, Top Albania Radio dhe My Music. Një garë midis këngëve të reja të krijuara nga artistë të mbarë shqiptarisë. Dërgoni krijimet tuaja. ‘Jeho’, spektakli më i ri i muzikës moderne shqiptare. Mos harroni, një beat mund të bëhet super hit".
Sot është zbuluar se këtë festival do e prezantojë moderatorja bukuroshe Fjoralba Ponari. E ftuar në "Ftesë në 5", Fjoralba tregoi se "Jeho" do të nisë nga fundi janarit ose fillimi i shkurtit dhe konfirmoi që do të jetë pasues i "Top Fest".

"U bë rreth 3, 4 vite që Top Fest nuk është më dhe duke qenë se kemi pasur kërkesa të shumta nga publiku dhe nga artistë të ndryshëm për një format ku artistët e rinj të promovohen dhe të kenë emocionet e garës, vendosëm për këtë festival të mirëfilltë. Të gjithë ata që duan të pjesë e këtij festivali duhet të kenë produksionet e tyre të papublikuara më përpara. Jeho është një mundësi për të gjithë artistët që kanë zë, kanë krijime dhe duan t'i kthejnë në hit", u shpreh Fjoralba./Xing.al
