Nga Shqipëria / E Martë 17 Dhjetor 2019, 17:05

Është 105 vjeçe, Fana nga Fieri na tregon sekretin e jetëgjatësisë

Është 105 vjeç, por vazhdon të jetë fizikisht e shëndetshme. Ajo quhet Fana Naci dhe ka lindur në 9 maj 1914. 105-vjeçarja ka rrëfyer për Report Tv sekretin e jetëgjatësisë. Gjatë jetës Fana ka përdorur një dietë ushqimore strikte, nuk pi duhan, as pije alkoolike dhe rrallë herë merr ilaçe. Në një ditë të zakonshme ajo bën punët e shtëpisë, fshin oborrin, merret me mirëmbajtjen e luleve dhe punon me shtiza për të bërë çorape për familjarët. Ka bërë punë të ndryshme në bujqësi por më vonë profesioni i saj ishte rrobaqepësia deri sa doli në pension. 

105-vjeçarja ka edhe memorie të fortë dhe kujton ardhjen e italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Kur ishte Italia, vinin ushtarët këtu, se ushtria ishte afër. Vinin kërkonin vezë. Kishin vajtur tek një fukara ushtarët conin rrobat për t'i larë dhe kërkuar vezë. Keni vezë? "Non ce" (nuk ka) - i tha ajo. Kishte dëgjuar nga djemtë që mësonin gjuhën", tregon 105-vjeçarja.