Nga Shqipëria / E Hënë 16 Dhjetor 2019, 13:01

Humbi nusen, Olsi nuk pranon versionin e vetëhelmimit: ‘Ne duheshim shumë’

Rezarta dhe Olsian Hajdari, çifti i sapomartuar, u gjetën të helmuar në dhomën e tyre vetëm 5 ditë pas dasmës. Fatkeqësisht 19 vjeçarja nuk arriti të mbijetonte ndërsa 27-vjeçari është ndërgjegjësuar vetëm pas dy ditësh në gjendje kome.

Policia e Shtetit në komunikatën e parë zyrtare për ngjarjen, nxorri versionin e vetëhelmimit për dy të rinjtë, mirëpo Olsi e ka mohuar. Pas daljes nga spitali, ai ka treguar me lot në sy për ‘Top Channel’, se ai dhe Rezarta ishin shumë të lumtur së bashku dhe duheshin shumë. Si rrjedhojë, nuk kishin arsye pse t’i jepnin fund jetës me paramendim.

“Para se të flinim mora një mangall me prush dhe e futa në dhomë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë çfaë ka ndodhur. Jam përmendur në spital. Për Rezartën më tregoi xhaxhai im. Jemi njohur në një dasëm, duheshim shume. Tre ditë kishim të martuar”, ka deklaruar Olsi. Dyshja kishin një vit të fejuar.

Mjeku ligjor ka bërë të ditur se do të analizohen të gjitha substancat në trup që mund të jenë shkak për vdekjen e Rezartës, mes të cilave dhe mangalli i sekuestruar si provë.  Përfundmi i analizave merr një kohë 30 – 40 ditë dhe mbetet të presim deri atëherë për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes së 19 vjecares.

Burimi: "Top Channel"