10-vjeçari, Alesio Cakoni që humbi motrën dhe babain nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë është bërë me shtëpi të re ku do jetojë bashkë me nënën e mbijetuar dhe gjyshen. Apartamenti i ri ndodhet në Kamëz dhe vizitën e parë në shtëpinë e re ua ka bërë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Rakip Suli.
Rama u shpreh se pret nga Alesio që të jetë nxënës me 10-a, ndërsa bëri të ditur se 10-vjeçarit së bashku me Aurel Lalën që humbi gjyshen dhe motrën nga tërmeti, u ka vendosur bursë mujore për të mbuluar shpenzimet e shkollës.
Aureli në dhomën e tij kishte të pikturuar në mur Ronaldon, ndërsa Alesio të preferuarin e tij: Portierin e Milanit Gianluigi Donnarumma.

"Kamëz - Në shtëpinë e njërit prej ëngjëjve që fluturuan nga dritaret për t'i thënë JO vdekjes, Alesjos, që hyri në shtëpinë e re për të vazhduar jetën plot me ëndrra e forcë prej një kampioni të lindur. Me shtëpinë e re të Alesjos, mbyllet në afatin e përcaktuar edhe detyrimi për t’i sistemuar në shtëpi të reja të gjitha familjet e viktimave të 26 nëntorit. Zoti u lehtësoftë dhimbjen e u dhëntë forcë e shëndet të gjithëve", shkruan Rama krah videos së publikuar.
