14 vjeçari Renis Muca, pas një aksidenti qëndroi për gati tre muaj në koma. Fatkeqësisht ai nuk arriti të zgjohej dhe humbi jetën në Ankara. Familjarët po vuajnë dhimbjen e humbjes dhe sërish janë në gjendje të mendojnë për të tjerët.
Gjatë emisionit ‘Shqiptarët për shqiptarët’ në ‘News24’, në një linjë telefonike me tezen e 14 vjeçarit, u bë e ditur kërkesa fisnike e nënës së Renisit. Mes lotësh tezja ka treguar se do t’i dhurojnë të gjithë lekët që ishin mbledhur për shpëtimin e vogëlushit, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
“Amaneti i nënës së Renisit, është që këto para të kalojnë fondacionit tuaj, që të ndihmoni një familje të prekur nga tërmeti. Jeni sot njerëzit më të besuar në shqiptari. Ju jeni ata që nuk hezituan. Jeni njerëz me zemër të madhe. Zoti ju ndihmoftë për gjithçka dhe në këtë hap që keni marrë vëlla”, u shpreh ajo në studio.
