Nga fundi i muajit Gusht u bë e ditur që moderatori i njohur, Adi Krasta, nuk do të ishte më pjesë e “News 24”. Në media u përfol se kryeministri Rama kishte lidhje me largimin e tij, pasi supozohej se ai kishte bërë opozitë gjatë gjithë kohës me emisionin e tij.

Pas largimit nga “News 24”, moderatori do të kthehet sërish në ekran, pjesë e një televizioni në Kosovë, “T7”. Gazetari Berat Buzhala ka publikuar një foto të Adi Krastës, duke intervistuar Ramush Haradinaj, kryeministrin në ikje të Kosovës, duke dhënë kështu lajmin.

“Sonte në T7 fillon një emision i ri. Presidenti e mban fjalën: Ftesa e realizuar për një gazetar të njohur shqiptar të përndjekur nga Edi Rama në Shqipëri për t’u bërë pjesë e T7’shit është bërë realitet. Emisioni i tij fillon në ora 21.00. Liri e plotë editoriale. Për çdo kënd dhe për kudo. Liri të plote për të kritikuar qeverinë e Shqipërisë, atë të Kosovës, të Maqedonisë, te Turqisë, te Amerikës. Qëndroni para T7’shit sonte. Asnjë dorë e asnjë politikani nuk është aq e gjatë dhe aq e fuqishme sa të mbërrijë deri në Express dhe T7”, ka njoftuar ai.

