Gëzimi i dasmës së Olsit dhe Rezartës zgjati vetëm 5 ditë. Tani dyert e shtëpisë janë hapur për mort. Çifti i të sapomartuarve u gjetën të helmuar në dhomën e tyre dhe u dërguan me urgjencë për në spitalin e Librazhdit. 19 vjeçarja nuk arriti të mbijetonte ndërsa 27-vjeçari është në gjendje të rëndë në Spitalin e Elbasanit. Mbeten ende të paqarta shkaqet e aktit ekstrem nga të rinjtë. Vëllai i Rezartës nga spitali i Elbasanit ngriti kujën dhe akuzoi se "e vranë në një derë të mallkuar", bën të ditur "Ora News". Në kuadër të hetimit, policia ka marrë në pyetje edhe prindërit e 27 vjeçarit Hajdari në fshatin Xhyrë. Ata kanë rrëfyer se nuk kishin kuptuar për probleme mes çiftit të ri. Edhe tezja e Olsi Hajdarit tha të njëjtën gjë. Policia që ka nisur hetimet për historinë tragjike por të mbushur me të panjohura presin përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Olsi Hajdarit për të mësuar të vërtetën e asaj që ndodhi mes çiftit.
