Nga Shqipëria / E Enjte 12 Dhjetor 2019, 20:08

Thyejeni heshtjen: Personazhe të njohur të Showbizit ngrihen kundër dhunës ndaj grave

Dhuna ndaj femrës fatkeqësisht është një fenomen shumë i përhapur, si në Shqipëri, ashtu dhe në shumë vende të tjera të botës. Dhuna vjen në forma të ndryshme, por të gjitha ta bëjnë shumë të vështirë jetesën. 8.6% e vajzave në Shqipëri janë dhunuar seksualisht, e këto vajza mund të jenë mjeke, gazetare, blogere, studente, artiste etj pasi dhuna nuk njeh status ekonomik, dhuna nuk njeh dallime në moshë apo në profesion.

Në familje të ndryshme, që në publik shfaqen të lumtura, mund të ekzistojë një nënë, një bijë, një motër, që ka rënë pre e dhunës e nuk di si të shpëtojë nga ajo. Cila është zgjidhja? Gjetja e guximit brenda vetes për t’u përballur me frikën që të pengon të kërkosh të drejtat tua si femër. Askush nuk ka të drejtë të dhunojë askënd!

Në lidhje me kauzën kundër dhunës ndaj femrave, janë ngritur personazhe të njohur të Showbizit e të mediave, të cilat janë bashkuar me UNDP Albania. Ndër to mund të përmendim: Jonida Shehu, Gerta Heta, Erjona Rusi, Dhurata Thanasi, Estela Ujka, Enida Bozheku, Alice Taylor, Zhaklin Lekatari. Ato kanë rrëfyer historitë e tyre të dhunës, për të përcjellë te të gjithë mesazhin se si të ringrihesh sërish kur ndjen se e gjithë bota po të përmbyset mbi supe, kanë treguar se si kanë rënë pre e formave të ndryshme të dhunës dhe se si mësuan të mos e toleronin më, duke shpëtuar kështu veten.