Nga Shqipëria / E Martë 10 Dhjetor 2019, 10:10

'Çfarë t'u thoja syve të lotuar...', mësuesja e Esielës bën dedikimin rrënqethës

Në tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit humbi jetën Diena Karanxha dhe vajza e saj 8-vjeçare, Esiela. Në ditën e parë të fillimit të shkollës, mësuesja e Esielës, Eda Katroshi ka bërë një postim rrënqethës ku tregon sesi shokët e shoqet e klasës së vogëlushes e kujtuan mes lotësh.

“Sot, me datë 09.12.2019 rifilluam jetën. Rifilluam aty ku e kishim lënë. Më rrethuan duart e vogëlushëve të mi. Nuk kishte gëzim më të madh kur u takuam. U perqafuam fort, u puthëm. Poooooor…. Ah kjo zemër dhe këta sy nuk guxuan të kthejnë shikimin e mjegulluar nga lotët drejt bankës tënde, e dashura Esielë. E ëmbla jonë Esielë. Cfarë tu thoja syve të lotuar të Jusrës që nuk e mbante dot ngashërimin. Nuk duroi dot që ti u bëre engjëll me krahë për të na parë nga lart. Shokët dhe shoqet e patën të vështirë të të mos përmendnin. E zgjuara, e shkathëta, Esiela jonë. Do të të kujtojmë gjithmonë. Do të mbetesh një vogëlushe e mrekullueshme për të gjithë grupin tonë të klasës së tretë. U prehsh e qetë pranë prindërve të tu!”, shkruan mësuesja.