Nga Shqipëria / E Hënë 9 Dhjetor 2019, 18:06

Ambasadori i Izraelit jep lajmin e mirë: Del në treg pajisja e parashikimit të tërmeteve

Deri më sot, ka qenë e pamundur të parashikohen tërmetet. Brenda këtij viti Shqipëria është goditur nga dy të tillë të fuqishëm (pa përmendur lëkundjet e lehta që nuk kanë shkaktuar dëme), që shkaktuan dëme materiale e dëme fatale në njerëz. Po të ishin parashikuar, 51 viktimat e 26 Nëntorit do ishin shmangur.

Së fundmi, një lajm i mirë ka ardhur që nga Izraeli. Pajisja që sinjalizon tërmetet 8-12 orë para se të bien do të dalë në treg brenda këtij viti. Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, e ka konfirmuar zyrtarisht lajmin në një intervistë ekskluzive për ABC News.

Kompania Izraelite “Ionoterra” ka bërë bujë të madhe me krijimin e kësaj pajisjeje, për të cilën ambasadori i Izraelit është shprehur se është testuar me sukses dhe do të dalë së shpejti.

“Ata mendojnë ndryshe, jashtë paradigmës. Në vend që të përpiqen të identifikojnë tërmetet përmes lëvizjeve sizmike dhe nëse bën këtë, humbet 90 përqind të zhurmave të lëvizjeve për shkak të natyrës së identifikimeve sizmike. Kështu që ata përpiqen ta përdorin atë përmes jonosferës, që është niveli atmosferik nga 60 kilometra e sipër, nga 60 deri në një mijë kilometra. Ajo që bëjnë është se vënë sensorë dhe radarë në vende që janë shumë të ndjeshme ndaj tërmeteve dhe marrin sinjalin në mënyrë konstante dhe arrijnë të shohin kurdo që ka ndryshim. Dhe ndryshimi është alarm i kuq për ju. Suksesi i saj është 91 përqind. Ata e testuan sistemin në Greqi, Turqi, Rumani, por sigurisht teknologjia nuk është 100 përqind e arritur. Do të kërkojë disa javë, disa muaj për ta vlerësuar në një pozicion ku mund ta përdorësh në çdo vend”, u shpreh Noah Gal Gendler për ABC News.

Burimi: "ABC News"