Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka dhuruar 1 milionë euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, ka shoqëruar ditën e sotme kryeministrin Edi Rama në Krujë dhe Thumanë.
Ai do të ndërtojë vetë banesa për ata që mbetën pa çati në kokë. Pacolli ka sugjeruar që në qytetin e Krujës, pallatet dhe shtëpitë e shembura të ndërtohen në pjesën e poshtme të qytetit, duke i dhënë hapësirë zonës turistike. Ndërsa po diskutonin me banorët e prekur nga tërmeti për gjetjen e zgjidhjeve për strehimin e tyre, Pacolli tha se mund të ndërtojë një pallat brenda 3 muajsh dhe Edi Rama iu përgjigj se nëse e realizon do t’i bëjë një statujë afër Skënderbeut.
Behgjet Pacolli: “Nëse nuk ka pengesa në rastin më të mirë, unë besoj një pallat, 45 banesa nga 80 metra katrorë, për 3 muaj duhet të kryhet.”
Edi Rama: “Po na vendos Behgjeti ca kushte. Po i bëjmë edhe një statujë afër Skënderbeut. Duhet të bëhet projekt, projekti-zbatimi.”
Behgjet Pacolli: “Po e bëjmë projektin”
Edi Rama: “Çfarë rëndësie ka. Edhe tre muaj po të jetë, 6 muaj. Duhet të gjejmë sistemim më të mirë sesa ky këtu.” /Report.Tv
