Që nga viti 2010, Bukurie Mata, është në kërkim të së bijës së humbur. Janë bërë pothuajse 10 vite që Bleona nuk është e gjetur dhe e ëma nuk i ka ndalur kërkimet për asnjë moment me shpresën se një ditë do të ribashkohet me të bijën.
Megjithatë, Bukurie është shprehur i ka humbur shpresat te shteti për gjetjen e Bleonës. “Ka 10 vite që është zhdukur vajza ime dhe nga shteti nuk kemi asnjë informacion, asnjë dritë jeshile për gjetjen e Bleonës, për bijën time të vetme. Unë i kisha kërkuar drejtësisë, që 10 vite radhazi 5 kriminelët rrinë të lirë, 5 dëshmitarët rrinë të lirë, 5 vajzat që e zhdukën Bleonën janë të lira. Unë e kam humbur besimin te shteti, unë pres çdo ditë më të mirën për Bleonën”, është shprehur ajo.
Tani e tutje do të bëjë çmos për ta gjetur vetë të bijën. “Unë do ta kërkoj në rrugë private, në të gjitha institucionet e tjera, por i lutem edhe njëherë shtetit të marrë masa për gjetjen e Bleonës, të marrë edhe njëherë në pyetje 5 kriminelët që rrinë të lirë. Unë dua të vërtetën për gjetjen e Bleonës. Dua një siguri, një pikë jeshile, një drejtim në gjetjen e saj, ndaj uniformës blu. E kam humbur besimin te drejtësia shqiptare, sepse 10 vite nuk kam asnjë pikë në gjetjen e Bleonës ndaj uniformës blu”.
Bukurie dyshon te ish i shoqi për humbjen e Bleonës, pasi sipas saj, ai nuk e ka kërkuar aspak. “Jo, nuk kemi asnjë lidhje, jemi ndarë me gjykatë. Ai si prind asnjëherë nuk e kërkon fëmijën, unë nuk e di çfarë prindi është ai. Çfarë babai është, çfarë i pamëshirë është, edhe këtu mund të hedhim dyshime se mund të dijë diçka dhe ai, bashkë me motrën e vet. Po na bën të dyshojmë, se 10 vite nuk bën asnjë thirrje për gjetjen e Bleonës. Vjehrri jonë e bën ndonjë thirrje shumë të rrallë”, ka treguar ajo per 'Ballkan.web'.
