Në një intervistë për "News24" dhe "Balkanweb", xhaxhai i Klement Çupit që përloti mijëra njerëz pasi luftoi me vdekjen mbi 16 orë nën rrënoja, ka treguar çastet e fundit me nipin. Xhaxhai, Enver Doçi rrëfeu mes lotësh fjalët dhe kërkesat e fundit të Kelit.
"Në 4, 4:10 të mëngjesit, mora në telefon vëllain Hamzain, më tha nuk kemi gjë në Tiranë. Kur i bija telefonit në Thumanë, vëllait Hajredinit, nuk e hapte telefonin asnjë. Atëherë u nisa direkt, njëkohësisht i thashë edhe vëllait Hamzait, që diçka në Thumanë ka ndodhur. Ai e konfirmoi se pallati i vëllait është shembur totalisht.
Nisemi poshtë, rreth orës 06:30 mbërrijmë në Thumanë, çfarë të shihni atje, ishte një skëterrë e vërtetë. Tentuam t’i shihnim të gjithë, nuk na la policia, duke përjashtuar vetëm Aleksin, që e gjetëm të gjallë dhe që e nxorën shpejt nga gërmadhat. Kur shkuam në anën tjetër të pallatit pamë djalin tjetër, Kelmentin, që bërtiste “ndihmë, ndihmë”, por që nuk arritëm dot ta shpëtonim. Bëmë të pamundurën, edhe ekipet nga Kosova, ato greket bënë ç’mos, por ishte e pamundur. Vetëm pjesën e Klementit nuk do ta harroj kurrë, ai bërtiste “xhaxhi më shpëto”.
Do bëj të pamundurën i thashë, do të të shpëtojmë. Përpjekjet ishin deri në orët e vona të darkës, madje kërkoi edhe cigare. Qendrat shëndetësore bënë të pamundurën, i bënë gjilpëra e serume. Gjatë darkës kërkoi edhe batanije, se kishte ftohtë. Një doktor grek na tha të mos mërzitemi, se do ta nxirrni shumë shpejt të gjallë. U bë e pamundur, nuk arritëm dot, fjala e fundit që tha “vdiqa”, kaq ishte amaneti i fundit.
Ata kanë 20 vite që rrinë në Thumanë, ky pati ardhur ka dy ditë nga Anglia për një gëzim familjar, për fejesën e vëllait, Aleksit. Kishte mbi 15 vite në Angli, kishte ardhur vetëm dy ditë më parë", tregoi Enver Doçi.
