Nga tërmeti që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 Nëntorit, shumë familje mbetën në qiell të hapur. Bashkia e Tiranës do t’i paguajë qiranë e shtëpisë me vlerën e tregut këtyre familjeve. Këshilli Bashkiak ka miratuar ditën e sotme një sërë vendimesh të rëndësishme që lidhen me përballimin e situatës kaotike që shkaktoi tërmeti në vend. Një ndër këto vendime eshtë pagesa e plotë e qirasë për një periudhë 1 vjeçare për rreth 1082 familje, banesa e të cilëve është shpallur e pabanueshme.
Erion Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës, ka theksuar se kjo pagesë do të bëhet e vlefshme dhe për muajin dhjetor. “Vendimi i dytë është ndoshta vendimi më i rëndësishëm që marrim sot: Për pagesën e plotë të qirasë sipas vlerës së tregut për familjet që janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Nuk është vetëm një vendim financiar, është edhe një vendim për thjeshtimin e procedurave se si këto familje duke nisur nga nesër do aplikojnë për të marrë 100% qira, sipas vleres të tregut”, u shpreh Veliaj.
Burimi: 'Report.TV'
