Nga Shqipëria / E Martë 3 Dhjetor 2019, 16:04

Xhaxhai rrëfen momentet e fundit të Kelit: Foli në telefon me të fejuarën, i dha lamtumirën

I ftuar mëngjesin e sotëm në "Wake Up" ishte Hamza Çupi. Nga tërmeti i 26 nëntorit, Hamzai humbi nën rrënoja vëllain e tij Hajredinin, bashkëshorten e vëllait, Lutfien dhe nipin që kishte ardhur nga Anglia, Klement Çupin. Menjëherë pas tërmetit të fuqishëm ai është nisur nga Vora për në Thumanë pasi vëllai nuk i përgjigjej në telefon. Hamzai tregoi se ishte një situatë shumë e vështirë kur mësoi që vëllai i tij dhe nusja e vëllait kishin ndërruar jetë, ndërsa dy nipat e tij për fat të mirë ishin ende gjallë dhe po bëhej çmos për t’i nxjerrë nga rrënojat. Gjatë kësaj kohe, Keli ka kërkuar të flasë me të fejuarën e tij në Angli, Liridona duke i dhënë lamtumirën. Përgjatë operacionit të kërkim – shpëtimit Keli kërkoi  ujë dhe cigare dhe më pas mbylli sytë. Atij i kishte rënë betoni mbi këmbë dhe kishte humbur shumë gjak, duke bërë që mos të shpëtonte dot. Xhaxhai i tij, Hamzai tregoi se dhe në Angli është mbajtur një ceremoni përkujtimore për ndarjen e Kelit nga jeta.