Nga Shqipëria / E Diel 1 Dhjetor 2019, 13:01

Rita mban fjalën, nis puna për ndërtimin e shtëpisë së familjes Sala

Dy ditë më parë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora deklaroi se do të merrte përsipër të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala. Rita e ka mbajtur fjalën dhe këtë e ka bërë të ditur sot kryebashkiaku Erion Veliaj i cili ka shkuar sot në fshatin Pinar. Veliaj tregoi se Rita e kishte me merak që shtëpia të mbarohet para Vitit të Ri prandaj puna ka nisur menjëherë. 

"Rita, shoqja ime më mori në telefon dhe tha ‘unë nuk i ndihmoj dot të gjithë, por një shtëpi do ta bëj patjetër që të jap shembull dhe secili mund të ndërtojë nga një shtëpi’. I thashë mendoje dhe vendos, i tregova për shtëpinë në fshatin Pinar dhe atë vendosi. Kontaktuam firmën dhe do fillojmë që sot punën. Rita kishte një merak donte që shtëpia të jetë gati për Vit të Ri. Kështu që do e prishim sot të vjetrën dhe të fillojmë punën për shtëpinë e re", tha Veliaj teksa ftoi komunitetin e biznesit dhe personazheve të njohur të jetës publike, të cilët kanë mundësi financiare, që të ndihmojnë në kapërcimin e kësaj situate në kohë rekord.