Nga Shqipëria / E Shtunë 30 Nëntor 2019, 23:11

‘Jemi të kënaqur me 50 viktima’, kryebashkiakja sqaron gafën që bëri xhiron e rrjetit

Në një prononcim për gazetaren e “Top Channel”, kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako, u shpreh se duhet të jemi kënaqur me numrin e viktimave, pasi në vendet e tjera të botës tërmetet kanë shkaktuar me mijëra humbje. “Ky ishte një tërmet shkatërrimtar. Por të jemi të kënaqur edhe me 50 viktima pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 100 viktima”, ishin fjalët e Sakos. Deklarata e saj ka bërë xhiron e rrjetit dhe publiku ka reaguar ashpër ndaj saj, me mendimin se do shkaktonte dhimbje të madhe te familjarët e viktimave, e jo vetëm.

Kryebashkiakja ka bërë së fundmi një reagim zyrtar, ku sqaron se deklarata e saj është shtrembëruar nga mediat. “Qoftë edhe humbja e një jete është tragjedi për një komb. Dhimbje për 51 jetët e humbura, dhe e lumtur për shpëtimin e qindra mijërave të tjerëve.  Jam shume e keqardhur që siç ka dy anë që po punojnë dhe një anë që përpiqet të abuzoje me situatën, ashtu edhe sot kam parë që ka deklarata të miat të cilat janë keqkuptuar nga njerëz dhe media të caktuara. Në vend që të kontribuojnë për ndihma për familjet në nevojë dhe për më shumë humanizëm, për fat të keq ka nga ata që i përdorin minutat dhe statuset e tyre për të shkëputur fjalë nga konteksti dhe për t’i shtrembëruar ato”, është shprehur Sako.