Drejtuesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari i ftuar në emisionin "Historia ime", u përlot teksa fliste për situatën. Ai tregoi se një qytetar i cili kishte humbur të afërmin e tij si pasojë e tërmetit, kërkonte ndihmë për organizimin e shërbimit funeral.
Mirela Milori: Sa ditë ke pa gjumë?
Arbër Hajdari: Dita e katërt është sot.. Në fakt u trishtova pak më shumë tani, sepse mora një mesazh nga një person që ka humbur pjestarët e familjes, i cili na kërkon ndihmë për të paguar shërbimin funeral të personit që ka humbur. Dhe kjo është një situatë tepër e vështirë që nuk duhet t’i ndodhte vendit tonë. Ishim totalisht të papërgatitur. Shqipëria është një vend i varfër dhe ky tërmet e ka bërë akoma dhe më të varfër. Shumë shqiptarë janë bërë bashkë në gjithë Shqipërinë dhe në gjithë botën për t’i ardhur në ndihmë, por unë mendoj se ka nevojë për kohë që Shqipëria ta marrë veten, edhe pse organizimet janë të shumta dhe njerëzit janë të gatshëm për të ndihmuar. Por dëmet janë të shumta”.
“Ne që pas rënies së tërmetit, kemi angazhuar çdo vullnetar të fundjavës, edhe deri tani kemi grumbulluar rreth 1.5 milionë dollarë. Të cilat do t’i vendosim në shërbim të ndërtimit te shtëpive të njerëzve që kanë humbur banesën. Sigurisht që do bëhet një plan kombëtar që të ketë një organizim ku realisht të shkojë haku tek njerëzit”, u shpreh Arbër Hajdari.
