E ftuar në "Ftesë në 5", moderatorja e njohur Hygerta Sako tregoi si e përjetoi ajo tërmetin e 26 nëntorit. Hygerta u shpreh se në momentin e lëkundjeve mendonte vetëm për vajzën, ashtu si çdo nënë. Moderatorja tregoi se e shqetësuar ishte edhe për vëllain që jeton në Durrës i cili ka pasur dëmtime në shtëpi.
"Në momentin kur filluan lëkundjen, u ngritëm të dyja, vajza vrapoi drejt derës së jashme, u detyrova ta ktheja mbrapsht që të rrinim në një vend ku ato momente mendon se mund të jesh më e sigurtë. Kur je nënë, nuk mendon për sigurinë e vetes tënde, por për fëmijën dhe prindërit se unë jetoj edhe me prindërit në shtëpi.
Unë jam shumë e ndjeshme. U përpoqa mos të shoh lajmet. Nuk munda të shkoj pranë të prekurve sepse nuk e përballoj dot. U mundova të jap kontributin tim nëpërmjet një nisme të Radio Televizionit shqiptar. Dhimbja është e madhe se bëhet fjalë për njerëz që kanë humbur jetën, për njerëz që kanë mbetur pa shtëpi. Është shumë e vështirë për t'u kaluar, por duhet të gjejmë forcë. Vëllain e kisha në Durrës. Shtëpia e vëllait tim ka pasur çarje muresh dhe thyrje xhamash dhe për momentin dhe ata nuk flenë në shtëpi. Ajo që mua më tremb më shumë është fakti se pas tërmetit të shtatorit, vjen në nëntor një goditje tjetër dhe nuk e dimë sesa të sigurta i kemi banesat tona", është shprehur Hygerta Sako.
