Kanë kaluar katër ditë nga tërmeti i 26 nëntorit që mori jetë njerëzish, la të plagosur dhe pa shtëpi banorë të shumtë. Tanimë rreziku ka kaluar, sipas ekspertëve aktiviteti sizmik është ulur ndjeshëm dhe toka po shkon drejt qetësimit. Ofertat për ndihma janë të shumta, jo vetëm hotele të ofruara nga vetë shteti por edhe hotele private që i ofrojnë dhomat falas dhe njerëz të zakonshëm që kanë hapur dyert e shtëpive të tyre anë e mbanë Shqipërise. Mirëpo njerëzit ende vazhdojnë të qëndrojnë në çadra për disa arsye të tjera.
1.Disa nga njerëzit që vërtet kanë mbetur pa strehim nuk kanë telefona dhe internet që të lidhen me njerëzit që kanë ofruar ndihmë për strehim apo të mësojnë hotelet ku mund të qëndrojnë falas.
2.Faktor tjetër është ankthi dhe paniku. Ekperienca traumatike i ka lënë njerëzit emocionalisht të paralizuar. Ideja për të qëndruar brenda godinave u shkakton frikë dhe panik ndaj shumë njerëz zgjedhin të qëndrojnë në tenda apo makina në vend që të përfitojnë nga strehimi falas në hotele apo apartamentet e ofruara nga vullnetarët.
3.Faktor tjetër që e kemi vënë re nga shumë njerëz që na shkruajnë mesazhe dhe na tregojnë shtëpitë e tyre që janë të dëmtuara e të pabanueshme është që nuk pranojnë të strehohen në hotele apo në shtëpinë e dikujt tjetër sepse presin t'u vijnë përfaqësues të shtetit në shtëpi për të parë dëmin dhe kryer riparimet dhe dëshpërblimet. Por me sa duket është ende herët për këto procese për shkak të emergjencave.
4.Ofertat për strehim kanë ardhur nga fshatra dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë por dhe nga Kosova dhe Maqedonia. Nga komunikimet tona me të prekurit nga tërmeti vihet re frika për tu larguar në zona larg banesave të tyre për shkak të objekteve personale apo frikës nga vjedhjet. Shumë njerëz preferojnë të rrinë brenda oborreve të tyre apo në makina edhe pse nuk mund të hyjnë në shtëpi për shkak të dëmeve.
Çfarë duhet bërë:
1.Të gjithë duhet të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për ata që kanë nevojë pavarësisht çdo gjëje.
2.Njerëzit që kanë dëmtime në shtëpi duhet të lajmërojnë bashkinë dhe të presin që ata të vijnë për të inspektuar dëmin. Ndërkohë duhet të gjejnë një strehim të sigurt: në njerëzit e tyre të afërt, në hotele, në njerëzit që kanë ofruar strehim, etj
3.Mos qëndroni në tenda apo makina sidmomos me fëmijë të vegjël dhe në kohë ftohti dhe shiu kur ka kaq shumë alternativa për strehim, përveçse nëse vërtet nuk keni vend ku të shkoni.
4.Ata që nuk kanë dëme në shtëpi, por sërish vazhdojnë të flenë jashtë apo në makina duhet të dëgjojnë ekspertët dhe të kthehen në shtëpi. "Për të gjitha objektet që në Tiranë nuk kanë pësuar as plasaritje, dëmtime, nuk ka pse të ketë merak askush për t’i përdorur. Edhe në Durrës, 80% e objekteve janë të përdorshme edhe sot", tha inxhinieri Agim Seranaj.
5.Për ta kaluar këtë gjendje paniku dhe frike, rrethohuni me të afërm dhe shoqëri. Rikthehuni punës dhe aktiviteteve që ju gëzojnë dhe përpiquni të vazhdoni jetën normalisht.
6. Bëni kujdes kur jepni ndihma sidomos nëse jeni shqipëtarë që jetoni jashtë kufirit për njerëz që nuk i njihni nga afër dhe nuk keni verfikuar vërtetësinë e tyre. Përpiquni që nëse dhuroni para, t'i dhuroni në llogari bankare të konfirmuara nga shteti dhe jo drejtpërdrejt dikujt që ju kontakton online si i prekur nga tërmeti, ose të paktën verifikoni me kë po komunikoni.
7.Zgjidhni burime të sigurta informacioni dhe qëndroni larg lajmeve të pavërteta që ju shtojnë ankthin dhe frikën. Nëse informacioni mbi tërmetin nuk mban emrin e një eksperti të verifikuar të fushës, atëherë është thjesht sajesë.
