Klement Çupi është një prej viktimave të tërmetit të 26 nëntorit i cili kishte ardhur në atdhe për të festuar fejesën e të vëllait. Keli punonte taksist në Oksford, Angli. Mediat e Oksfordit e kanë vlerësuar si një djalë të zgjuar dhe punëtor. Keli ishte i fejuar dhe priste të martohej së shpejti. E fejuara e tij, Liridona Suluka ka postuar një mesazh shumë prekës në Facebook krah fotos së tyre së bashku. "Shpirt i shpirtit tim ti ke qene dhe do te jesh gjithmone me mua. Gjeja me e bukur dhe me e shtrenjta ime", shkruan e fejuara e Kelit.

Dy xhaxhallarët e Kelit, Adriatiku dhe Hamzai treguan për "TV Klan" bisedat me nipin në 16 orë, gjatë përpjekjeve heroike të grupeve të specializuara për ta shpëtuar nipin e tyre.
“Herën e fundit kam folur, 5 minuta para se me dhënë jetë. Thoshte më ndihmoni, ndihmë o xhaxhi, ndihmë më shpëtoni. Nuk arritëm dot. Nuk ishte mundësia, nuk e di, ishin shumë betone sipër, shumë gjëra… U munduan boll ata të ndërhyrjes greke dhe të Kosovës. U munduan boll, madje njëri nga Kosova bërtiste, Kel qëndro dhe pak, por nuk arritën dot ta shpëtonin. Në momentin që kanë arritur tek i ndjeri, në momentin që kanë prerë traun ai ka dhënë jetë. Atëherë e lanë në moment aty, mbrapa kemi ndërhyrë e kanë filluar dhe e kanë nxjerrë, është nxjerrë në mëngjes. U tha që hëngri bukë, kërkoi cigare… Ne ia dhamë të gjitha. Kemi komunikuar, kanë komunikuar njerëzit, nipërit.
“Aman më shpëtoni, jam gjallë, aman vetëm më shpëtoni", u thoshte Keli. "Ishte i bllokuar në të dy krahët, në këmbë dhe në mes. Jetën e humbi nga rrjedhja e gjakut nga këmba", treguan ata.
