Në pallatin 18 në qytetin e Durrësit, fatkeqësisht familja Reçi dhe tre anëtaret e familjes Karanxhaj, nuk mundën t’i mbijetonin tërmetit që me 26 Nëntor tronditi Shqipërinë. Një ndër të mbijetuarat që jetonte në këtë pallat, Violeta Doda, ka rrëfyer për ‘Report.tv’ tmerrin e përjetuar gjatë atij mëngjesi dhe se si ajo bashkë me fëmijët e saj, kanë arritur të dalin shëndoshë e mirë nga ndërtesa.

Violeta, 53-vjeçarja me profesion mësuese, ka treguar se ka arritur të dilte bashku me dy fëmijët e saj dhe të emën nga një vrimë e mbetur e hapur në dhomën e tyre të gjumit. ‘Zoti na bashkoi të katërve bashkë, kam nxjerrë fëmijën e vogël 10 vjec para, më pas djalin e madh (14 vjec), vetë kam qëndruar duke nxjerrur mamanë dhe më kanë ndihmuar për ta nxjerrur. Gjendja ka qenë shumë e rëndë. Kemi dalur dukë kërkuar ndihmë, na ka ndihmuar dhe dikush nga një pallat tjetër që nuk e njihja, pastaj më kanë marrë shoqet dhe më kanë dërguar në shtëpitë e tyre.

Ajo ka treguar se ndërkohë që po dilte ka dëgjuar zërin e vogëlushës Eisela (8 vjec), të bijën e Diene Karanxhaj, teksa thërriste për ndihmë. Në këtë pallat, jetonin gjithësej katër familje, dy nga të cilat u shuan e dy të tjera që kanë arritur të dalin shëndoshë e mirë.





