Tërmeti që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 Nëntorit, krijoi një situatë alarmante në vend, për të cilën kanë reguar ekspertë jo vetëm nga Shqipëria, por nga mbarë botë. Profesor Ross Stein, ekspert amerikan, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen por është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.
Gjatë një interviste për ‘Zërin e Amerikës’ ai u shpreh se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqëndruar vëmendje. ‘Shqipëria ka qenë shumë aktive gjatë kohërave dhe mund të presim tërmete të mëdhenj edhe në të ardhmen’, tha profesori.
‘Arsyeja pse Shqipëria është kaq e bukur është sepse ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina, dhe kjo ndodh ngaqë rajoni ka pësuar shtypje nga Lindja dhe Perëndimi. Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, ai krijon rrudha. Këto janë ishujt e Kroacisë, dhe kodrat apo luginat e Shqipërisë. I tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë”, është shprehur eksperti amerikan.
‘Tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht prandaj asgjë nga këto që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti i rradhës. Por ajo që mund të bëjmë, është të tregojmë cilat janë zonat më të rrezikuara dhe si t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet’, ka përfunduar ai./ Top Channel
