Në mbledhjen e mbajtur sot kryeministri Rama ka shpjeguar situatën pas tërmetit dhe ka bërë bilancin e donacioneve të mbledhura deri tani. Rama tregoi se janë mbledhur 5 milionë euro dhe 1.5 milionë dollarë në banka dhe 4.5 milionë dollarë në platforma donacionesh.
"Bilanci paraprak i kontributeve është goxha inkurajues, por duke qenë se bankat e nivelit të dytë janë të mbyllura për shkak të ditëve të pushimit, nuk mund të themi dot sesa është bilanci i plotë. Vetëm nga dy sipërmarrës të mirënjohur shqiptarë Behgjet Pacolli dhe Shefqet Kastrati janë dedikuar 2.5 milionë euro. Një shumë e verifikuar me transaksione shkon deri tani në 5 milionë euro dhe 1.5 milionë dollarë. Në portalin e-albania ka deri tani një numër shumë të madh donatorësh të vegjël të cilët dua t'i falenderoj, qytetarë nga brenda dhe jashtë vendit, nga Europa e nga Amerika. Ndihmat e mbledhura nga një numër i konsiderueshëm nga organizata dhe shoqëri civile përllogariten në vlerën e 5.4 milionë dollarë. Këtu dua t'i bëj thirrje atyre që dhurojnë të kenë shumë kujdes sepse është verifikuar dhe një numër mashtruesish", u shpreh Rama duke theksuar se adresa shtetërore ku mund të dhuroni është e-Albania.
"Fondet që vijnë në adresën e publikuar nga qeveria shqiptare dhe ato që janë mbledhur nga organizatat e solidaritetit do të administrohen përmes Komitetit Kombëtar të Ndërtimit. Ndërsa për një numër jo të vogël mbledhësish do të ketë një monitorim të rreptë nga qeveria", u shpreh Rama.
