Nga Shqipëria / E Premte 29 Nëntor 2019, 14:02

Eksperti thirrje qytetarëve: Kthehuni në shtëpi, rreziku ka kaluar

Inxhinieri Agim Seranaj i ftuar mëngjesin e sotëm në "ABC News", i ka bërë thirrje qytetarëve të kthehen në shtëpitë e tyre e të mos flenë më në makina pasi rreziku ka kaluar. Inxhinieri u shpreh se banesat të cilat nuk kanë pësuar dëmtime, nuk duhet të ketë merak askush për t'i përdorur. 

"Është mirë të themi dhe duhet ta kishim thënë fort që ditën e dytë pasi ndodhi ngjarja, për të gjitha objektet që në Tiranë nuk kanë pësuar as plasaritje, dëmtime, nuk ka pse të ketë merak askush për t’i përdorur. Edhe në Durrës, 80% e objekteve janë të përdorshme edhe sot. Ne që ndodhemi në Durrës kur bie muzgu shohim që nuk ndizen dritat dhe nuk ka banorë. Nëse në Durrës ndodh prej panikut, është e  pajustifikuar që të ndodhë edhe në qytetin e Tiranës”, u shpreh Seranaj.

I pyetur nga Enkel Demi nëse kanë rrezik banesat ku mund të ketë rënë ndonjë pllakë fasade, mund të ketë ndonjë krisje, inxhinieri u përgjigj: “Jo, nuk janë të rrezikshme. Por ka edhe objekte që mund të dallohen lehtë që nuk mund të përdoren këto ditë. Nëse këtë nuk e dallon dot banori, e dallon shumë thjesht një inxhinier".