Nga Shqipëria / E Enjte 28 Nëntor 2019, 12:12

Bilanci: 9 gjërat që shqiptarët mësuan nga tërmeti i 26 nëntorit

Ishin orët e para të mëngjesit të së martës kur Shqipëria u godit nga tërmeti i pamëshirshëm 6.4 ballë, që mori jetë njerëzish, la të plagosur, shkatërroi shtëpi, solli dhimbje e lot. Nga ky tërmet mësuam 9 gjëra shumë të rëndësishme të cilat "Xing.al" jua sjell më poshtë vijon:

1.Shqiptarët këto ditë kanë qenë të bashkuar si kurrë më parë. U bashkuan shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, emigrantë, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Kamiona me tonelata ushqimesh e batanijesh.

2.Shumë qytetarë kontribouan me para nëpërmjet llogarive bankare që u hapën nga shoqatat e bamirësive apo nga personazhe të famshëm duke mbledhur mbi 2 milion dollarë. 

3.Pronarët e lanë mënjanë biznesin, por në këto ditë të vështira ofruan strehim në hotele, ushqime nga fast food-et, furrat e bukës, ushqimoret, batanije e veshje nga dyqanet.

4.Kuptuam që në raste të tilla partitë e politikanët nuk kanë rëndësi, por platformat e tyre, duke filluar që nga politikat që ushtrojnë për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe mënyra sesi organizohen për të përballuar krizat dhe emergjencat.

5.Kuptuam duhet të marrim masa, të përmirësojmë cilësinë e ndërtimit. Duhet një monitorim i gjithë procesit të ndërtimit nga gjeo-inxhinierët.

6.Kuptuam që në raste të tilla duhet organizim. Mungesa e organizimit solli kaos në vendet ku u shpërndanë ndihmat. U raportua se persona që nuk ishin prekur nga tërmeti vidhnin ndihma, të tjerë abuzonin me ushqimin e bënin biznes duke shitur batanijet për 5 mijë lekë. Mbrëmjen e djeshme edhe Ermal Mamaqi bëri thirrje që kanë ardhur 23 kamiona, por nuk ka vullnetarë për të shkarkuar ndihmat. Pra duhen vullnetarë që të ndihmojnë në shkarkimin e ndihmave e të organizojnë dhënien e tyre tek njerëzit e prekur.

7.Mungesa e qenve të trajnuar. Forcat e sigurisë së Kosovës erdhën në Shqipëri të shoqëruar nga qentë e tyre të trajnuar që shpëtuan një person dhe lokalizuan trupat e disa të tjerëve. Qentë përdoren në të gjithë botën për operacionet e kërkim-shpëtimit. Kujtojmë që kur ranë kullat binjake, qentë punuan me javë të tëra dhe gjetën trupat.

8.VIP-at nuk janë sipërfaqësorë, por në këtë rast treguan shumë solidaritet duke dhënë ndihma dhe duke shpërndarë vazhdimisht në rrjetet e tyre sociale informacione mbi ndihmat e nevojshme për të prekurit nga tërmeti. Ermal Fejzullahu dhuroi 100 mijë euro, Bebe Rexha 10 mijë euro, Ermal Mamaqi është pjesë e bordit të "Fundjavë ndryshe", Mozzik gjithashtu bashkëpunoi me "Fundjavë ndryshe", Noizy gatoi për personat që qëndruan në çadra, Capital T mbushi kamionin plot me ndihma dhe u nis drejt Shqipërisë e po ashtu ofroi strehim, të tjerë dolën të ndihmonin banorët e prekur nga tërmeti e shumë të tjerë dhuruan ndihma, por nuk i bënë publike.

9.Fuqia e rrjeteve sociale: Në një situatë të tillë, teknologjia e rrjetet sociale ndihmuan si kurrë më parë sepse u njohëm në kohë reale me nevojat e njerëzve dhe u bë në kohë rekord mbledhja e parave. Me anë të rrjeteve sociale u ofruan edhe ndihmat nga bizneset ndërsa personazhe të njohur bashkëpunuan për t'i shpërndarë informacionet./Xing.al