Maria Taragjini është vajza 22-vjeçare me aftësi ndryshe që përfaqësoi Shqipërinë në "Miss & Mister Deaf", një konkurs bukurie për personat shurdhmemecë, që u mbajt në Itali. Bukuroshja shqiptare u rendit në vendin e pestë në këtë konkurs i cili bëri realitet ëndrrën e saj.

Maria ishte e ftuar sot tek "Rudina", e shoqëruar nga mikesha e saj Loreta që e ndihmon në komunikim me gjuhën e shenjave.

"Konkurrova me 5 veshje; me një veshje kuqezi, me një veshje të zezë, me diçka që më është dukur në modë, me rrobabanjo dhe me fustanin e kuq. Gara ishte e fortë, shumë vajza të bukura, shumë konkurrencë. Nuk e kam pasur të vështirë, e kam ndjerë veten të sigurtë pasi më kanë ndihmuar njerëz që janë të kësaj fushe. Plotësova ëndrrën që kam pasur që e vogël, kam mësuar se si të eci në pasarelë, të bëhem e bukur. Plotësimi i ëndrrës është diçka shumë e madhe", tregoi Maria.

Mikesha e Marias, Loreta tregoi se Maria prej një viti e gjysmë është e dashuruar me një djalë nga Mali i Zi i cili është gjithashtu me aftësi të veçanta. Ajo tregoi se Maria dhe djali takohen shpesh me njëri-tjetrin, kanë bërë pushimet bashkë dhe kanë takuar familjet e njëri-tjetrit.






