Nga Shqipëria / E Diel 27 Tetor 2019, 16:04

E braktisi 1 ditë pas lindjes, vajza gjen nënën biologjike pas 24 vitesh

Një histori vërtet prekëse është transmetuar sot në rubrikën "Ka një mesazh për ty", tek "E diela shqiptare". Xhulia kishte ardhur në emision për të kërkuar nënën e saj biologjike pas 24 vitesh. Xhulia jeton në Itali dhe është rritur nga prindërit birësues të cilët prej vitesh ia kishin mbajtur të fshehtë këtë fakt. Por Xhulia e kishte marrë vesh nga shokët e shoqet se ishte e birësuar. Ajo kishte gjetur çertifikatën e vërtetë të lindjes ku shkruhej se quhej Xhulia Isufi dhe kishte lindur më 8 prill 1995, nga prindër Loni dhe Majlinda.

Kur mësoi se ishte shtatzënë, Xhulia nisi të kishte ndjesinë se duhet të gjente nënën biologjike. Një ëndërr e kishte përforcuar më shumë këtë ndjenjë. Xhulia kishte parë në ëndërr një grua që mbante një foshnjë. 

24-vjeçarja ishte përpjekur ta gjente nënën biologjike, por nuk ia kishte dalë mbanë. Por dëshira iu plotësua falë "Ka një mesazh për ty" të cilët gjetën Majlinda Kumbaron, nënën biologjike të Xhulias. Sapo e pa nënën biologjike në ekran, Xhulia u shpreh se ato ngjajnë shumë.

Majlinda e ndjente që në emision e kishte ftuar e bija dhe këtë ia the edhe Arditit. Ajo tregoi mes lotëve se pas një lidhje të shkurtër, për shkak të mentalitetit nuk arriti ta mbante vajzën. Majlinda u shpreh se ajo gjithashtu ka kërkuar për vajzën, por nuk kishte arritur ta gjente.

"The që duhej ta kisha kërkuar unë. Po nuk ka rëndësi kush kërkoi, rëndësi ka rezultati që u gjetëm", i tha Xhulia të ëmës biologjike.

Nënë e bijë u përqafuan me lot në sy.