Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora siç dihet është rritur në Angli dhe karrierën e saj e ka zhvilluar atje. Pavarsisht kësaj, Rita gjithmonë është treguar shumë krenare për prejardhjen e saj. Së fundmi, mediat serbe i janë kthyer kundër pikërisht për këtë.

Rita është shfaqur nëpër tabelat reklamuese të Beogradit duke promovuar një markë perëndimore stolish të çmuara dhe gazeta serbe ‘Informer’ e ka quajtur skandaloz këtë fakt, pasi e quan Ritën mbështetëse të UÇK-së që ka bërë thirrje për Shqipërinë e madhe. “Skandaloze! Shqiptarja Rita Ora i qesh Beogradit në fytyrë! Këngëtarja e preferuar e Haradinaj dhe Thaçit në pankartat e kryeqytetit!”, ka shkruar gazeta serbe.

Po ashtu ato kanë realizuar një sërë intervistash me të rinj në kryeqytetin serb të cilët kanë dhënë mendimin e tyre për praninë e Ritës në Beograd. “Kjo është e tmerrshme dhe është një dëshmi e nivelit të ulët të vetëdijes kombëtare të serbëve. Vendi ynë nuk duhet të lejojë një këngëtare shqiptare që mbështet UÇK-në dhe bën thirrje për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ në tabela në të gjithë kryeqytetin. Ligji urgjentisht duhet të hartohet dhe miratohet për të ndaluar publikimin e reklamave me përmbajtje anti-serbe. Ka shumë njerëz në vendin tonë që janë të gatshëm të punojnë kundër interesave të njerëzve të tyre për hir të përfitimit material”, është shprehur një ndër të rinjtë serb.

“Nëse do të pyesja veten në jetë, nuk do të lejoja që një reklamë e tillë të shfaqej në vendin tonë, veçanërisht jo në kryeqytetin tonë. Dhe kjo vjen nga një grua që ka një qëndrim të qartë politik kundër Serbisë. Unë mendoj se këto tabela janë të panevojshme dhe duhet të hiqen, të paktën nga aty ku janë”, ka theksuar një tjetër.







