Bashkëshorti i zv.ministres së Brendshme, Rovena Vodës, Aurel Voda ishte drejtor i Shërbimit Parësor Spitalor, pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ai u shkarkua nga detyra për shkak të fjalorit të pistë të përdorur në Facebook.

Në një faqe online, ku ishte publikuar një lajm mbi politikën, Voda ka komentuar: ‘Na plasi k*ri”. Ndërkohë, në një tjetër postim ai ka sulmuar mediat. Shkarkimi i tij nga puna u firmos nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila i konsideroi të patolerueshme fjalët e tij.

Pas kësaj ngjarjeje, Voda ka reaguar përmes një postimi të bërë në profilin e tij të Facebook-ut. Ai ka kërkuar publikisht falje. “Ju kerkoj falje publike të gjithë qytetarëve, që me të drejtë janë prekur nga fjalët e mia jashtë etikës qytetare. Me këtë rast dua t’i sqaroj se kam në FSDKSH që nga tetori i 2013 dhe sot mbusha plot 6 vjet. Kam qenë mbrojtësi më i mirë i parave të taksapaguesve shqiptar. Me giithë tallazet që ka kaluar ky institucion unë nuk jam penalizuar asnjëherë as nga Auditi i Brendshëm, as nga KLSH. Kam në pronësi 1/4 e një pallati 80 m2 në Durrës, por jam i lumtur se kam një familje të shkëlqyer prej 7 anëtarësh, dy prindrit, tre fëmijët dhe unë e bashkëshortja. Iu kërkoj falje edhe atyre. Gjithsesi treni nuk mund të ndalojë për asnjë person, kushdoqoftë ai”, ka shkruar Voda.




