Nga Shqipëria / E Diel 20 Tetor 2019, 10:10

'Të këpusin shpinën vajzat e Klanit e të fërkoj unë', gruaja paralajmëron live Ndocajn: Po të vëzhgoj

Eduart Ndocajn për herë të parë po e shohim të kërcejë sepse së fundmi ai është bërë pjesë e spektaklit "Dance with me", ku kërcen krah Kejvina Kthellës. I ftuar pasditen e djeshme tek "Rudina", Eduarti tregoi se para se të bëhej pjesë e këtij spektakli, bashkëshortja i kishte dhënë një porosi: "Shko, por mos provoko".

Ish-deputeti zbuloi se kur kishte marrë ftesën për "Dance with me", i kishte kërkuar regjisores Vera Grabocka që të bindte bashkëshorten e tij. 

"E kishim kusht me Vera Grabockën në fakt që ta bindte nusen ajo. Ia dhashë unë kusht Verës, që nëse e bind unë vij. Dhe patëm një drekë dhe arriti ta bindi. Porosia e saj ishte: Shko, por mos provoko. Nuk i kam sjellë pak probleme në fakt. Natën e dytë duke ngritur atë vajzën (balerinën) mbi sup, këputa pak mish. Nuk arrita të bëj prova dhe ika në Itali, ndenja deri të dielën. I thashë nuses, më fërko. Po tha, të këpusin shpinën vajzat e Klanit, e do të të fërkoj unë? Gjithsesi arriti të më shërojë", tregoi Ndocaj.

Zonja Valentina me anë të një videomesazhi paralajmëroi Ndocajn se po e vëzhgon. 

"Mirmëngjes shpirt. U gëzova shumë për çmimin që morët mbrëmë. Ju meritoni kaq edhe më shumë. Ishte një 10 e merituar, të përqafoj. Bëj kujdes, sepse unë të vëzhgoj".

"Ka 4 sy", tha me humor Ndocaj.