Kjo e mërkurë në emisionin ‘Soiree’ nga Jonida Shehu iu dedikua artistit të madh, Françesk Radit. E ftuar në studio ishte bashkëshortja e tij, Tefta, e cila ka folur gjerë e gjatë për të shoqin, duke rikujtuar momentet më të bukura e ato më të hidhurat, nga fillimi historisë deri në fundin e saj.

Tefta ka rrëfyer se si është njohur me Françeskun dhe se si ra në dashuri me të. "Isha një vajzë studente që e shihja Frankon në bulevard me syrin e lakmisë si të gjitha femrat. Më pëlqente se ishte një tip krejt ndryshe, një djalë që ka qenë jashtë kronizave të çdo kohe. Franko ishte një njeri që binte në sy për sharmin e tij, jo vetëm për muzikën dhe këngët e tij”, është shprehur ajo.

"Ishte një dashuri shumë e bukur. Nuk ishte dashuri me shikim të parë, absolutisht jo. Ne punuam bashkë me grupin artistik. Një vit më pas ndodhi ajo që ndodhi. Iu duka interesante, mua më dukej prej kohësh interesant dhe Franko e thotë shumë bukur dhe në libër 'kitara ishte karemi për të afruar vajza, megjithatë unë nuk rendja pas tyre, ishin ato që rendnin pas meje, pasioni për kitarën dhe muzikën", ka vijuar më pas ajo plot mall për kohërat e bukura.






