Nga Shqipëria / E Mërkurë 16 Tetor 2019, 23:11

‘Mbaj mend një mesazh’, Rozana rikujton fjalët e Françesk Radit kur fitoi ‘Këngën Magjike’

Kjo e mërkurë në ‘Soiree’ nga Jonida Shehu, i ishte dedikuar artistit legjendar, Françesk Radit. Në studio ishin të ftuar familjarë dhe miq të kantautorit, të cilët e kujtuan mes mallit dhe dhimbjes. Përpos së shoqes, Teftës, në studio ishte e ftuar dhe mbesa e tij, këngëtarja e njohur Rozana Radi, e cila ka folur me mall për xhaxhanë.

Rozana ka rikujtuar një ndër momentet me të. Një mesazh që ka marrë nga Françesk Radi kur fitoi çmimin e parë të Këngës Magjike. “Mbaj mend një mesazh. Kur unë pata fatin e madh të vlerësohesha nga të gjithë artistët, të merrja çmimin e parë në Këngën Magjike mbaj mend një mesazh të Frankos që e ruaj akoma me fanatizëm, i cili më shkruajti 'i vure vulën Këngës Magjike. Më more çmimin që nuk e mora kurrë", ka treguar këngëtarja në studio.

Ajo ka folur po ashtu për mallin që i la në shpirt ikja e xhaxhait, duke treguar se është mërzitur më shumë për të sesa për babain e saj. Kjo për shkak se i ati u largua kur ajo ishte në një moshë shumë të vogël dhe ka qenë Françesku, ai që ka zëvendësuar boshllëkun e lënë pas.