Nga Shqipëria / E Mërkurë 16 Tetor 2019, 18:06

U tha se Rina u largua nga 'On Records', flet menaxheri i labelit

Që prej disa ditësh në media po qarkullojnë lajmet për shkëputjen e reperes së njohur Rina Balaj nga muzika. Shkëputja e saj ishte e befasishme pasi ajo kishte rreth tre këngë të reja gati për t’u publikuar. “Rina nuk do të jetë aktive për një kohë të caktuar për arsye personale, faleminderit për mirëkuptimin”, njoftoi motra e reperes në rrjete sociale duke qenë se vetë Rina e mbylli dhe llogarinë e saj të Instagramit.

Mbrëmjen e djeshme u aludua se shkas për largimin e reperes, ishin bërë disa mospajtime me menaxherin e ‘On Records’. Po ashtu u përfol për largimin e  Rinës nga labeli që e bëri të njohur.

Mirëpo ditën e sotme, burime nga ‘Telegrafi’ kanë kontaktuar me menaxherin, Mehmet Elshani, i cili ka mohuar të ketë mospajtime me reperen. Ai ka treguar se marrëdhënia e tyre është shumë e mirë dhe si rrjedhojë lajmet e djeshme kanë qenë thjesht një keqkuptim. “Jo, është plotësisht e pavërtetë. Unë dhe Rina kemi raporte shumë të mira dhe nuk ka pasur asnjë ngatërresë mes nesh. Hiç më larg se sot (e martë), vajza ime kishte ditëlindjen dhe ka marrë një urim shumë shoqëror dhe të përzemërt nga vet Rina”, është shprehur ai.

Përsa i përket arsyeve të vërteta që bënë Rinën të shkëputej nga muzika, Mehmet Elshani, ka thënë të njëjtën gjë si motra e reperes, pra që arsyet janë personale dhe i di vetë ajo. “Rina është distancuar pak nga muzika për momentin dhe kjo u bë e ditur përmes rrjeteve sociale, ndërsa arsyet e marrjes së këtij vendimi, i din vet ajo. Se a do të kthehet apo jo, ky është vendim që tashmë i takon asaj. Ne si label shqyrtuam kërkesën e saj për pauzim në muzikë, dhe ia aprovuam pasi nuk mund të “detyrojmë” dikë që të këndojë”, ka vijuar menaxheri.