
Ditën e sotme tek "E diela shqiptare" është trajtuar një histori prekëse mes një vëllai dhe motre që prej 30 vitesh nuk flasin pas një konflikti që nisi për gjysmë metri tokë. Shtëpitë e tyre janë shumë afër njëra-tjetrës dhe ndahen vetëm nga një gardh. Ndërtimi i bahçes së Arifit duke hyrë në pjesën e tokës së motrës fillloi problemet dhe grindjet mes tyre.
Tani që kanë kaluar shumë vite Arifi ftoi sot në "Ka një mesazh për ty", të motrën për t’i kërkuar falje.
Arifi u përlot teksa tregonte historinë e konfliktit me motrën e tij dhe u emocionua kur e pa në studio.
"Mua më erdhën mendtë vonë dhe të kërkoj falje ty dhe burrit tënd. Unë derën e kam të hapur të më vini", u shpreh Arifi.
"Motra t’i ka falur të gjitha se jam motër dhe jam më e madhe. Burri im nuk të vjen nga pas. Ti e bëre këtë punë por e bëre me vonesë. Të ra fuqia se kështu jemi ne fshatarët, për një copë tokë. Unë fëmijët i martova pa ty. Ti doje kapital, tokë, e hodhe poshtë motrën", i tha Vera.
Ardit Gjebrea tha se kunati ka marrë në telefon dhe ka thënë se e fal Arifin. Mes lotësh vëlla e motër u përqafuan pas 30 vitesh.