Televizioni ‘INtv’ tashmë ka përfunduar transmetimet për t’u mbyllur përfundimisht. Stafi i këtij televizioni u shpërbë, dhe secili do të gjejë një tjetër rrugë për të vazhduar karrierën televizive.

Një ndër ta është moderatori Ermal Peçi, i cili ka reaguar përmes një postimi. Emisioni i tij nuk do të transmetohet më në 'INtv', dhe për këtë moderatori ka thënë se të tjera gjëra të bukura e presin.

“Në çdo moment kam dashur të ndaj me ju gjithçka! Nuk do dëshiroja që interesimit tuaj të vazhdueshëm ti përgjigjem me heshtje… s’do isha unë! INtv nuk mundi të niste sezonin e ri ndaj kjo është arsyeja përse ‘Trokit’ nuk erdhi në ekranin tuaj! Në çdo eksperiencë ruaj gjithmone kujtimet më të bukura siç këto vite në INtv ishin plot dashuri me programet që aq shumë investova ‘Eurobeat’, ‘Një kat më lart’ dhe ‘Trokit’,-është shprehur Ermali nostalgjik.

Moderatori ka zbuluar se forca e tij në këtë televizion, ka qenë padyshim publiku. “Keni qenë aq shumë pranë këtyre programeve duke u bërë shtysa ime për gjithçka ndamë. Çdo gjë lë gjurmë! Eksperienca e ketyre tre viteve ishte IN dhe shumë dashuri! Të tjera na presin”-ka përfunduar ai postimin në rrjetet sociale.










